
Në një botë që ndryshon me shpejtësi, ku teknologjia, migrimi, globalizimi dhe krizat ekonomike po riformësojnë shoqëritë moderne, familja shpesh shihet si një strukturë tradicionale në rënie. Por a është ajo realisht një institucion i tejkaluar, apo mbetet qendra e gravitetit për zhvillimin e njeriut dhe qëndrueshmërinë e shoqërisë?
Kërkimet sociologjike, ekonomike dhe edukative në dekadat e fundit tregojnë se pavarësisht formave që mund të marrë, familja vazhdon të jetë bërthama e shoqërisë, përmes rolit të saj në socializim, edukim dhe prodhim kapitali njerëzor.
Roli shoqëror i familjes: më shumë se bashkëjetesë
Që nga kohët më të hershme, familja ka qenë institucioni i parë social që e mëson individin si të sillet në komunitet. Ajo nuk ofron vetëm dashuri dhe përkujdesje, por socializon fëmijët me normat dhe vlerat themelore të shoqërisë, mëson ndarjen e përgjegjësive, komunikimin dhe zgjidhjen e konflikteve, ndihmon në formimin e identitetit personal dhe kulturor.
Në studimet e sociologut Talcott Parsons, familja shfaqet si agjens kryesor i stabilizimit emocional dhe rritjes së kapaciteteve morale të individit. Ndërsa në kohë të polarizimit shoqëror dhe fragmentimit kulturor, ky rol bëhet edhe më i rëndësishëm.
Roli ekonomik: prodhimi dhe riprodhimi i kapitalit njerëzor
Shpesh injorohet fakti se familja është një njësi ekonomike që prodhon, kursen, konsumon dhe investon. Por edhe më thelbësore është se ajo riprodhon kapitalin njerëzor, domethënë aftësitë, zakonet dhe vlerat që ndihmojnë individët të kontribuojnë në ekonomi dhe shoqëri.
Sipas një raporti të OECD, fëmijët që rriten në familje të qëndrueshme kanë më shumë gjasa të përfundojnë arsimin e lartë, të kenë stabilitet në punë dhe të marrin pjesë aktive në jetën shoqërore.
Familja kontribuon ekonomikisht përmes kujdesit joformal (p.sh. për fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara), trashëgimisë së vlerave të punës, qëndrueshmërisë dhe sipërmarrjes, investimeve në arsim dhe shëndet për anëtarët e saj.
Në shoqërinë shqiptare kjo është edhe më e dukshme. Ndërsa në shumë vende të zhvilluara shteti dhe institucionet publike kanë marrë një pjesë të madhe të përgjegjësisë për edukimin, mirëqenien dhe punësimin e brezave të rinj, tek ne mbetet e natyrshme që familja të jetë shtylla kryesore. Prindërit ndihen moralisht të detyruar të shkollojnë fëmijët me gjithë kapacitetin e tyre, t’i mbështesin gjatë studimeve dhe shpesh edhe në gjetjen e punës. Të mos e bërit këtë shihet si jo normale, sepse historikisht familja ka qenë garancia më e madhe e arsimimit, dinjitetit dhe suksesit.
Kjo tregon se familja tek shqiptarët nuk është vetëm njësi biologjike ose emocionale, por edhe një mekanizëm ekonomik, social dhe kulturor që riprodhon kapitalin njerëzor dhe e mban të fortë lidhjen midis brezave. Pikërisht kjo e bën atë një nga asetet më të fuqishme të shoqërisë sonë.
Roli edukativ: themeli i çdo formimi
Përpara se të shkojë në shkollë, fëmija mëson të flasë, të ndjejë, të sillet dhe të besojë, që të gjitha këto formohen në mjedisin familjar. Ndërsa arsimi formal vetëm e vazhdon procesin që ka nisur në shtëpi. Studimet tregojnë se prindërit që lexojnë me fëmijët, i ndihmojnë atyre të zhvillojnë gjuhën, të menduarit logjik dhe empatinë.
Komunikimi pozitiv në familje lidhet me vetëvlerësim më të lartë dhe sjellje më pak agresive te fëmijët. Modelet që ofrojnë prindërit ndikojnë më shumë se çdo fjalë e mësuesit. Ky rol edukativ nuk ndalet në fëmijëri. Familja ndihmon dhe shpesh edhe ndikon në zgjedhjen e profesionit, zhvillimin e vlerave morale, zgjedhjet politike dhe mënyrën si i rrisim brezat pasardhës.
Sfida moderne ndaj institucionit familjar
Megjithëse familja mbetet qendrore, ajo po përballet me sfida të mëdha në shekullin XXI:
Kriza demografike: rënie e lindshmërisë dhe plakje e popullsisë në shumë vende, përfshirë Kosovën, që e bën më të vështirë riprodhimin e kapitalit njerëzor dhe ruajtjen e ekuilibrave socialë.
Emigrimi dhe mungesa e stabilitetit ekonomik: largimi i të rinjve dhe mungesa e mundësive të qëndrueshme në vend po e dobësojnë zinxhirin familjar, duke lënë pas boshllëqe në kujdesin për fëmijët dhe të moshuarit.
Presioni i kohës dhe ndarjet sociale: prindër që punojnë shumë, shpesh në disa vende pune njëkohësisht, e kanë gjithnjë e më të vështirë të ofrojnë kohë cilësore për edukimin e fëmijëve.
Modeli “familje individualiste”: ku nevojat dhe aspiratat personale shpesh vendosen mbi përkushtimin afatgjatë, duke e dobësuar konceptin e sakrificës për brezat e ardhshëm.
Shthurja e vlerave tradicionale: globalizimi dhe ndikimi i kulturave të reja shpesh po sjellin relativizimin e normave që kanë mbajtur të fortë institucionin e familjes shqiptare.
Rritja e divorcit dhe konflikteve familjare: që ndikojnë jo vetëm tek stabiliteti i prindërve, por edhe tek shëndeti emocional dhe social i fëmijëve.
Ndikimi i teknologjisë dhe mediave sociale: që shpesh i zëvendësojnë marrëdhëniet e ngrohta me komunikim virtual, duke krijuar distanca mes brezave.
Mungesa e politikave publike mbështetëse: familjet në Kosovë përballen me pak mbështetje nga shteti, qoftë në përkujdesje për fëmijët, në arsim, apo në lehtësira ekonomike për prindërit.
Në këtë kontekst, rrënimi i familjes nuk po bëhet vetëm çështje kulturore, por edhe kërcënim për kohezionin social dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Dobësimi i familjes nënkupton më pak stabilitet ekonomik, më pak solidaritet ndërbrezor dhe më pak mbështetje sociale në kohë krize. Për këtë arsye, ruajtja dhe fuqizimi i familjes nuk është vetëm interes privat i individëve, por një çështje strategjike për të ardhmen e shoqërisë.
Çfarë nënkupton kjo për Kosovën?
Në realitetin tonë familja ka qenë gjithmonë amortizuesi i krizave ekonomike dhe politike. Ajo ka ofruar strehim, ndihmë financiare, edukim emocional dhe stabilitet në periudha kur shteti ka munguar.
Por sot, në kohë paqeje dhe shtetndërtimi, po mungojnë politikat që ta forcojnë atë. Nuk ka masa të qëndrueshme për prindërimin e hershëm. Nuk ka mbështetje të mjaftueshme për familjet me më shumë fëmijë. Nuk ka politika që e trajtojnë edukimin e hershëm si proces që nis në shtëpi dhe vazhdon në institucion.
Kosova ka nevojë për një politikë familjare gjithëpërfshirëse, të bazuar në tre parime:
Familja si vlerë kombëtare, sepse ajo ruan identitetin, kulturën dhe solidaritetin ndërbrezor.
Familja si pasuri ekonomike dhe sociale, sepse ajo prodhon kapital njerëzor, kujdes joformal dhe stabilitet në kohë pasigurie.
Familja si partner në edukimin dhe zhvillimin e brezave të rinj, sepse asnjë institucion nuk mund ta zëvendësojë përkushtimin dhe rolin formues të saj.
Një politikë e tillë duhet të përfshijë lehtësira fiskale për familjet me më shumë fëmijë, programe të mbështetjes së prindërimit, shërbime për kujdesin e hershëm të fëmijëve, si dhe një rrjet të fuqishëm të këshillimit familjar e social. Vetëm në këtë mënyrë familja mund të mbetet jo thjesht një traditë e së kaluarës, por një forcë moderne për zhvillimin e Kosovës.
Përfundim: Familja është institucion që nuk zëvendësohet
Në fund të ditës, çdo individ që ecën drejt suksesit, që kapërcen vështirësitë dhe që kontribuon në shoqëri, ka një histori familjare që e ka formuar. Familja nuk është thjesht një vend ku rritemi, është institucioni që na mëson si të jetojmë, si të duam dhe si të japim.
Në një shoqëri që lufton për stabilitet, edukim cilësor dhe zhvillim afatgjatë, familja nuk duhet parë si strukturë private, por si kapital publik që kërkon mbrojtje, forcim dhe bashkëpunim nga shteti dhe shoqëria.
“Familja është e vetmja ushtri e heshtur që e mbron një shoqëri nga rrënimi i brendshëm.”